Katekizmi i Vogël

MARTIN LUTERI (1483-1546) është një prej të Krishterëve më të njohur pas Apostujve. Ai është reformatori i Kishës i cili rizbuloi Ungjillin e Biblës. Ai e gjeti në Bibël që falja e mëkateve dhe shenjtërimi u jepet njerëzve nga Zoti vetëm nëpërmjet besimit dhe Hirit te Zotit, nëpërmjet Predikimit të Ungjillit të Jezu Krishtit, që u ofrua për ne në kryq nëpërmjet sakramentit të Pagëzimit. Në vitin 1529 Luteri shkroi Katekizmin për të ndihmuar prindërit t’i mësonin Biblën fëmijëve të tyre.

Çfarë është Katekizmi? Katekizëm vjen nga greqishtja dhe do të thotë “ Mësim”. Katekizmi është Bibla e Shenjtë në një guaskë arre. Ai do t’iu japë një hartë per t’iu ndihmuar që të kuptoni se çfarë është Besimi i Krishterë. Ne shpresojmë se ju do të gjeni një jetë të re te Jezu Krishti, në një Kishë të Krishterë. Kisha Ungjillore Luterane dëshiron t’iu tregojë më shumë dhe t’iu ftojë në miqësinë dhe shoqërinë e të Krishterëve të saj.

grayscale photo of woman holding book statue
grayscale photo of woman holding book statue

Dr. Martin Luterit

PJESA I

10 Urdhërimet

gray concrete statue of a woman
gray concrete statue of a woman

URDHËRIMI I PARË

Unë jam Zoti, Perëndia yt. Dhe ti nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë, ta duam dhe ta besojmë Perëndinë mbi gjithçka.

URDHËRIMI I DYTË

Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd kot; sepse Zoti nuk do ta lërë të pandëshkuar atë që e përdor kot emrin e Tij.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, nuk duhet të mallkojmë, të betohemi, të bëjmë magjira, të gënjejmë apo të mashtrojmë në emër të Tij, por duhet t’i drejtohemi Atij në çdo kohë nevoje, dhe ta adhurojmë Atë me lutje, lavde dhe falenderime.

URDHËRIMI I TRETË

Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, nuk duhet të përbuzim predikimin dhe Fjalën e Tij, por ta mbajmë atë të shenjtë e ta dëgjojmë e mësojmë me gëzim.

URDHËRIMI I KATERT

Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, që të mos i përçmojmë prindërit dhe ata që qëndrojnë mbi ne, të mos i provokojmë që të zemërohen, por t’i nderojmë, t’i bindemi, t’i duam dhe t’i respektojmë ata.

URDHËRIMI I PESTË

Nuk do të vrasësh.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, që të mos i lëndojmë apo rrezikojmë të afërmit tanë fizikisht, por t’i ndihmojmë e t’i gjendemi pranë në çdo nevojë fizike që mund të kenë.

URDHËRIMI I GJASHTË

Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, që të mund të jetojmë të pastër dhe të papërlyer, në fjalë dhe në veprime, e që burri dhe gruaja ta duan dhe ta nderojnë njëri-tjetrin.

URDHËRIMI I SHTATË

Nuk do të vjedhësh.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, që të mos ua zhvatim fqinjëve apo të afërmëve pronat dhe pasuritë, të mos bëjmë me ta pakte të rreme, por t’i ndihmojmë të ruajnë dhe të përmirësojnë pronat dhe jetesën.

URDHËRIMI I TETË

Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, që të mos i gënjejmë, tradhtojmë, shpifim apo përgojojmë fqinjët ose të afërmit tanë, por t’i falim, të flasim mirë për ta dhe të bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar në ato që bëjnë.

URDHËRIMI I NËNTË

Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, që të mos kërkojmë më kot ta fitojmë tinëzisht shtëpinë dhe pasurinë e fqinjit apo të afërmit tonë, as ta zotërojmë atë nëpërmjet ndonjë trillimi gjyqësor, por ta ndihmojmë e t’i shërbejmë atij që ta ruajë atë.

URDHËRIMI I DHJETË

Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne duhet ta kemi frikë dhe ta duam Perëndinë, që të mos e joshim, detyrojmë apo largojmë nga i afërmi ynë bashkëshorten, shërbëtorët apo bagëtinë e tij, por t’i nxisim ata të qëndrojnë e të përmbushin detyrën e tyre.

---------------------------------

Pse i dha Zoti të gjitha këto urdhërime?

“Sepse Unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz, që e dënoj padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë; dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.” (Eksodi 20:5,6)

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Zoti paralajmëron se do të ndëshkojë të gjithë ata që i shkelin këto urdhërime, por Ai premton hir dhe çdo bekim për të gjithë ata që i zbatojnë këto urdhërime; Ndaj, ne duhet ta duam Atë e t’i besojmë Atij, dhe t’i bindemi urdhërimeve të Tij plot gëzim.

PJESA II

Besimi i Apostujve

NENI I PARË - Krijimi

Unë besoj te Perëndia Ati i gjithëpushtetshëm, Krijuesi i tokës dhe i qiellit.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Unë besoj se Perëndia më ka bërë mua dhe të gjitha krijesat e tjera; se Ai më dha trupin dhe shpirtin, sytë, veshët e çdo gjymtyrë që unë kam, se Ai më dha arsyen dhe të gjitha ndjesitë, dhe vazhdon t’i mbrojë ato; se Ai më dha të vishem e të mbathem, të ha e të pi, të kem tokë e shtëpi, grua dhe fëmijë, kullota, bagëti dhe çdo të mirë; se Ai siguron për mua plot begati dhe në çdo ditë gjithçka që më nevojitet për trupin dhe jetën; se Ai më mbron nga të gjitha rreziqet dhe më ruan e më mban larg nga të gjitha të këqijat; e të gjitha këto Ai i bën vetëm falë natyrës atërore, mirësisë dhe mëshirës hyjnore, pa asnjë meritë apo vlerë në mua; dhe për gjithçka që unë duhet t’i lutem e ta falenderoj, t’i shërbej e t’i bindem Atij. Kjo fjalë është e sigurt.

NENI I DYTË - Shpengimi

Unë besoj te Jezu Krishti, Biri i Tij i vetëm, Zoti ynë; i cili u ngjiz nga Shpirti i Shenjtë, u lind nga virgjëresha Mari; vuajti nën Ponc Pilatin, u kryqëzua, vdiq, u varros; Ai zbriti në ferr; ditën e tretë u ringjall prej së vdekurish; u ngjit në qiell, dhe qëndron në të djathtë të Perëndisë At i plotfuqishëm; dhe Ai do të vijë dhe do t’i gjykojë të gjallët e të vdekurit.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Unë besoj se Jezu Krishti është Zoti i vërtetë, i linduri i Atit tonë që në përjetësi, por njëherësh edhe një njeri i vërtetë, i lindur nga virgjëresha Mari. Unë besoj se Ai është Perëndia im, Ai që më shpengoi mua, një krijesë e humbur dhe e dënuar, më bleu dhe më çliroi nga të gjitha mëkatet, nga vdekja dhe fuqitë e djallit. Jo me ar apo argjend, por me gjakun e Tij të shenjtë e të çmuar, me vuajtjen dhe me vdekjen e Tij të pafajshme. E të gjithë këtë Ai e bëri që unë të jem i Tij, të jetoj nën Të në mbretërinë ë Tij, e t’i shërbej Atij duke qëndruar përherë në drejtësi, pafajësi dhe duke qënë përherë bekim, ndërkohë që Ai është ringjallur prej së vdekurish, jeton e mbretëron në përjetësi. Kjo fjalë është e sigurt.

NENI I TRETË - Shenjtërimi

Unë besoj në Shpirtin e Shenjtë; në kishën e Shenjtë të Krishterë; në komunionin e shenjtorëve; në faljen e mëkateve; në ringjalljen e trupit; dhe në jetën e përtejshme. Amen.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Unë besoj se nuk mundem me anë të arsyes ose fuqisë sime të besoj te Jezu Krishti, Zoti im, ose të vij tek Ai; por është Shpirti i Shenjtë ai që më ka thirrur nëpërmjet Ungjillit, më ka ndriçuar me dhuntitë e Tij, më ka shenjtëruar dhe më mban në besimin e vërtetë; ashtu sikurse Ai thërret, ndriçon dhe shenjtëron tërë Kishën e Krishterë mbi tokë, dhe e ruan atë të lidhur me Jezu Krishtin brenda një besimi të vërtetë; në këtë kishë të krishterë Ai çdo ditë dhe bujarisht më fal mua dhe të gjithë besimtarët, per gjithë mëkatet tona; dhe në Ditën e Fundit do të më ngrejë mua dhe të gjithë të vdekurit, dhe do të na japë mua due të gjithë besimtarëve në Krishtin, jetën e përjetshme. Kjo fjalë është e sigurt.

blue and white round wall decor
blue and white round wall decor

PJESA III

Lutja e Zotit

man holding his hands on open book
man holding his hands on open book

Ati ynë që je në qiell.

U shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote.

U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona,

ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim,

por na çliro nga i ligu,

sepse jotja është mbretëria,

dhe fuqia dhe lavdia përjetë.

Amen.

HYRJE

Ati ynë që je në qiell.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Me këtë lutje Perëndia do të na ftojë ëmbëlsisht të besojmë se Ai është vërtet Ati ynë, dhe se ne jemi vërtet fëmijët e Tij, në mënyrë që t’i lutemi Atij plot gëzim dhe siguri ashtu siç bijtë e dashur i kërkojnë babait të tyre.

LUTJA E PARË

U shenjtëroftë emri yt.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Emri i Perëndisë është vërtet i shenjtë në vetvete; por në këtë lutje ne kërkojmë që Ai të shenjtërohet edhe në ne.

Si arrihet kjo?

Atëherë kur mësohet fjala e Perëndisë në gjithë të vërtetën dhe pastërtinë e saj, dhe ne, si fëmijë të Perëndisë, jetojmë jetë të shenjta në përputhje me të. Këtë na jep, o At i dashur në qiell. Kurse ai që mëson dhe jeton ndryshe nga si mëson fjala e Perëndisë, dhe e përdhos emrin e Perëndisë në mes nesh, nga kjo na ruaj, o At qiellor.

LUTJA E DYTË

Ardhtë mbretëria jote.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Mbretëria e Perëndisë vjen vërtet, pa asnjë lutje nga ne; por në këtë lutje ne kërkojmë që ajo të mund të vijë edhe tek ne.

Si arrihet kjo?

Atëherë kur Ati ynë qiellor na dhuron Shpirtin e Tij të Shenjtë, në mënyrë që falë hirit të tij ne të besojmë në Fjalën e Tij të Shenjtë, e të jetojmë një jetë të perëndishme, si tani ashtu dhe më pas në përjetësi.

LUTJA E TRETË

U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Emri i Perëndisë është vërtet i shenjtë në vetvete; por në këtë lutje ne kërkojmë që Ai të shenjtërohet edhe në ne.

Si arrihet kjo?

Atëherë kur Perëndia mposht dhe largon çdo këshillim apo qëllim të keq, i cili nuk na lejon ta shenjtërojmë emrin e Perëndisë, as nuk e lë mbretërinë e Tij të vijë, si për shembull, vullneti i djallit, bota, dhe vetë mishi ynë, por na forcon dhe na mban të palëkundur në Fjalën e Tij dhe në besimin tonë deri në fund. Ky është vullneti i Tij i hirshëm dhe i mirë.

LUTJA E KATËRT

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Perëndia na e jep vërtet bukën çdo ditë edhe pa lutjet tona, madje ua jep edhe të gjithë të ligjve; por ne kërkojmë në këtë lutje që Ai të na udhëheqë ta njohim këtë gjë dhe ta marrim bukën tonë të përditshme me falenderime.

Çfarë nënkuptohet me bukë të përditshme?

Gjithçka që i përket dëshirave dhe nevojave të trupit, si p. sh. e ngrëna, e pira, veshjet, të mbathurat, toka, shtëpia, bagëtia, paratë, të mirat, një grua besimtare, fëmijë besimtarë, shërbëtorë besimtarë, sundimtarë besimtarë dhe besnikë, një qeveri e mirë, një mot të mirë, paqe, shëndet, nder, rregull, miq të vërtetë, fqinj të mirë e të tilla si këto.

LUTJA E PESTË

Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne kërkojmë në këtë lutje që Ati ynë në qiell të mos i shikojë mëkatet tona, dhe për shkak të tyre të mos na i pranojë lutjet; sepse ne nuk jemi te denjë për asgjë nga ato që kërkojmë, e as i kemi merituar ato; por ne lutemi që Ai të na i plotësojë të gjitha lutjet me anë të hirit; se ne mëkatojmë aq shumë çdo ditë dhe nuk meritojmë asgjë me shumë se sa dënimin; dhe që nga ana jonë ne do t’i falim me zemër e do të bëjmë gjithçka mundemi të mirë për ata që mëkatojnë ndaj nesh.

LUTJA E GJASHTË

Dhe mos lejo të biem në tundim.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Perëndia në të vërtetë nuk tundon njeri; por ne kërkojmë në këtë lutje që Zoti të na ruajë e të na mbrojë, në mënyrë që djalli, bota dhe mishi ynë të mos na mashtrojë, të mos na shpjerë në mosbesim, dëshpërim apo në ndonjë mëkat dhe ves tjetër te turpshëm, dhe pavarsisht se tundohemi, në fund ne të mund të arrijmë ta mposhtim dhe të marrim fitore.

LUTJA E SHTATË

Por na çliro nga i ligu.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Ne kërkojmë në këtë lutje, si kulmi i gjithçkaje, që Ati ynë në qiell, do të na çlirojë nga çdo e keqe e trupit dhe shpirtit, pronën, nderin, dhe në fund, kur të mbërrijë ora e vdekjes, do të na dhurojë një fund të bekuar, dhe hirësisht do të na marrë nga kjo luginë e dhimbjes për të na çuar te Vetja në qiell.

PËRFUNDIMI

Sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen.

Çfarë nënkuptohet me këtë?

Se unë duhet të jem i sigurtë që këto lutje janë të pranueshme tek Ati ynë në qiell, dhe janë dëgjuar prej Tij, sepse Ai vetë na urdhëroi që të lutemi, dhe na premtoi se do të na dëgjojë. Amen, Amen, kjo do të thotë, po, po, kështu do të ndodhë.

PJESA IV

Sakramenti i Pagëzimit të Shenjtë

I

Ç’ është pagëzimi?

Pagëzimi nuk është thjesht ujë, por është uji që nënkuptohet në urdhërimin e Perëndisë dhe lidhet me Fjalën e Tij.

Cila është fjala e Zotit?

Ajo që vetë Zoti tha në kapitullin e fundit të Mateut: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe Frymës së Shenjtë.”

II

Çfarë dobi sjell pagëzimi?

Pagëzimi kryen faljen e mëkateve, çliron nga vdekja dhe e keqja, dhe u jep shpëtimin e përjetshëm të gjithë atyre që besojnë atë që shpallin fjalët dhe premtimet e Zotit.

Cilat janë këto fjalë dhe premtime të Zotit?

Ato që Krishti, Zoti ynë, tha në kapitullin e fundit të Markut: “Ai që beson dhe është pagëzuar do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.”

III

Si mundet uji të bëjë gjëra të tilla kaq të mëdha?

Nuk është uji në të vërtetë ai që i bën ato, por Fjala e Zotit, e cila është në ujin dhe me ujin, dhe besimi që e pranon se kjo Fjalë e Perëndisë është te uji. Sepse pa Fjalën e Perëndisë uji është thjesht ujë dhe jo pagëzim, por me Fjalën e Perëndisë ai është pagëzim, d.m.th. një ujë i hirshëm i jetës dhe një larje ripërtëritjeje në Shpirtin e Shenjtë, ashtu siç i tha Shën Pali Titit në kapitullin e tretë: “Ai na shpëtoi, jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes të Shpirtit të Shenjtë, të cilën e derdhi me mbushulli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë: që ne, të shfajësuar me anë të Hirit të Tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi. Kjo fjalë është e sigurt.”

IV

Çfarë domethënie ka pagëzimi me ujë?

Ai nënkupton që Adami i vjetër brenda nesh, nëpërmjet pendesës së përditshme, të flaket dhe të vdesë, me të githa mëkatet dhe dëshirat e këqija, në mënyrë që një njeri i ri çdo ditë e më tepër të lindë e të rritet, një njeri që do të jetojë përpara Zotit përjetë me drejtësi dhe pastërti.

Ku është shkruar kjo?

Shën Pali shkruan tek Romakëve (6:4) “Ne, pra, u varrosëm me anë të pagëzimit në vdekje, që ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.”

green potted plant on window
green potted plant on window

PJESA V

Rrëfimi dhe falja e mëkateve

Rrëfimi dhe falja e mëkateve

Çfarë është rrëfimi?

Rrëfimi përmban dy pjesë: njëra që ne i rrëfejmë mëkatet tona, e tjetra që ne marrim shfajësimin ose faljen e mëkateve, nga pastori, njësoj si prej vetë Perëndisë, pa ndonjë dyshim të arsyeshëm, por besojmë të patundur se nëpërmjet tij mëkatet tona janë të falura përpara Perëndisë në qiell.

Cilat mëkate duhen rrëfyer?

Përpara Perëndisë ne duhet ta pranojmë se jemi fajtorë të të gjitha mëkateve, edhe të atyre që nuk i dallojmë, ashtu siç bëjmë në lutjen e Zotit. Por,përpara rrëfim-dëgjuesit ne duhet të rrëfejmë vetëm ato mëkate që ne i njohim dhe që na shqetësojnë.

Cilat janë ato?

Në këtë rast ju konsiderojeni pozicionin tuaj duke mbajtur ndërmend dhjetë urdhërimet; qofshi një baba, një nënë, një bir, një bijë, qofshi një zotëri, një zonjë, një shërbëtor, nëse keni qenë i pabindur, jo besnik apo i plogët, nëse e keni lënduar dikë me vepra apo me fjalë, nëse keni vjedhur, mohuar, shpërdoruar apo bërë ndonjë dëm.

DETYRA E ÇELЁSAVE

Cila është detyra e çelësave?

Ёshtë fuqia e veçantë të cilën Krishti ia dha Kishës së Tij në tokë për të falur mëkatet e mëkatarëve të penduar, por për t’ua mbajtur ato të papenduarëve për aq kohë sa ata nuk pendohen.

Ku është shkruar kjo?

Ja si shkruan Ungjilltari Gjon në kapitullin e njëzetë: “Zoti hukati mbi dishepujt e Tij dhe tha: MERRENI FRYMЁN E SHENJTЁ. Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.”

Sa çelësa ekzistojnë?

Dy. Njëri për të zgjidhur. Tjetri për të lidhur.

Cili është çelësi për të zgjidhur?

Ёshtë ajo fuqi e dhënë nga Krishti shërbëtorëve të Tij në tokë, për të çliruar nga mëkatet e tij një mëkatar të penduar nga mëkatet, dhe për t’i hapur atij mbretërinë e qiellit.

Ku është shkruar kjo?

Në fjalët e Krishtit: “Të gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.” (Mat. 18:18) Shën Pali shkruan: “Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh: dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë!” (2 Kor. 5:20)

Cili është çelësi për të lidhur?

Është ajo fuqi e dhënë nga Krishti ndaj shërbëtorëve të Tij në tokë, nëpërmjet së cilës një mëkatar i papenduar lidhet prej mëkateve të veta, të cilët ia mbyllin atij qiellin: e shkishërojnë atë.

Ku është shkruar kjo?

Vetë Krishti tha: “Të gjithë gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell” (Mat. 18:18).

man wearing white bathrobe sitting on bed
man wearing white bathrobe sitting on bed

PJESA VI

Sakramenti i Altarit

I

Çfarë është Sakramenti i Altarit?

Sakramenti i Altarit është trupi dhe gjaku i vërtetë i Zotit tonë Jezu Krisht, brenda bukës dhe verës, themeluar nga vetë Krishti, që ne të krishterët t’i hamë dhe t’i pimë.

Ku është shkruar kjo?

Ungjilltarët e shenjtë Mateu, Luka, Marku, së bashku me Palin, shkruajnë kështu: “Zoti ynë Jezu Krisht, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu, ua shpërndau dishepujve të Tij, duke u thënë: Merrni, hani; KY ËSHTË TRUPI IM, që është thyer për ju; bëjeni këtë në përkujtimin tim.” “Pastaj, në të njëjtën mënyrë, kur falenderoi, mori kupën dhe ua dha atyre dukë thënë: Pini prej saj të gjithë; sepse ky është gjaku im, GJAKU I BESËLIDHJES SË RE, i cili është derdhur për ju e për shumë si ju, për faljen e mëkateve; e bëjeni këtë, sa herë që pini, në kujtimin tim.”

II

Cila është dobia e një ngrënie dhe pirje të tillë?

Kjo na tregohet nga këto fjalë: “Dhënë dhe derdhur për ju, për faljen e mëkateve.” Kjo do të thotë që në Sakrament falja e mëkateve, jeta dhe shpëtimi na janë dhënë nëpërmjet këtyre fjalëve. Sepse aty ku ekziston falja e mëkateve ekziston gjithashtu dhe jeta e shpëtimi.

III

Fuqia e Darkës së Zotit.

Si mundet ngrënia dhe pirja të bëjnë gjëra të tilla kaq të mëdha?

Nuk është ngrënia dhe pirja në të vërtetë, ajo që e bën një gjë të tillë, por fjalët që shkruhen këtu: “Dhënë dhe derdhur për ju, për faljen e mëkateve.” Këto fjalë, së bashku me ngrënien dhe pirjen, janë gjërat kryesore në Sakrament; dhe ai që i beson këto fjalë do të ketë atë çka ato thonë dhe shprehin, domethënë faljen e mëkateve.

IV

Përdorimi dobiprurës i Darkës së Zotit.

Cilët, atëherë, janë ata që kanë dobi nga marrja e këtij Sakramenti?

Agjërimi dhe përgatitja trupore janë në të vërtetë një disiplinë e mirë së jashtmi; por është vërtet i denjë dhe i mirë-përgatitur ai që beson në këto fjalë: “Dhënë dhe derdhur për ju, për faljen e mëkateve.” Por ai që nuk i beson këto fjalë ose dyshon, nuk është i denjë dhe është i papërgatitur; sepse fjalët “për ju” kërkojnë zemra që besojnë vërtet.

Ku është shkruar kjo?

Shën Pali shkruan tek Romakëve (6:4) “Ne, pra, u varrosëm me anë të pagëzimit në vdekje, që ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.”

JEZUSI THEMELON DARKËN E ZOTIT

Në mbrëmjen e ditës së parë të ndormëve, Jezusi u ul së bashku me dishepujt e tij për të ngrënë Pashkën. Dhe ndërsa po hanin Jezusi tha: Njëri nga ju do të më tradhëtojë. Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyre filloi të thotë: “Mos jam unë, Zot?” Jezusi u përgjigj: “Ai që ka ngjyer së bashku me mua dorën në çanak, ai do të më tradhëtojë.” E pasi e ngjeu bukën ia dha Judës duke i thënë: “Atë që ke për të bërë, bëje shpejt.” Dishepujt nuk e kuptuan atë që donte të thoshte Jezusi; por Juda u turr me vrap jashtë dhe shkoi te priftërinjtë. Ishte natë. Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im.”

Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke iu thënë: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë njerëz për faljen e mëkateve. Bëjeni këtë, sa herë që të pini, në përkujtimin tim.

Pas kësaj Jezusi tha: “Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t`i mbani. Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjithë ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t`ju kumtojë gjërat që do vijnë.”

(Mat. 26: 26- 29, Marku 14: 17- 24, Luka 22: 14- 23, Gjoni 13: 21- 30, 1 Kor. 11: 23- 24).

a glass of water sitting on top of a table
a glass of water sitting on top of a table

Lutjet e mëngjesit dhe mbrëmjes

MËNGJESI

Në emër të Atit e të Birit e dhe Shpirtit të Shenjtë. Amen.

Unë të falenderoj Ty, o At qiellor, përmes Jezu Krishtit, Birit Tënd të dashur, që më ke mbrojtur gjatë natës nga të gjitha rreziqet dhe dëmet . Unë të përgjërohem Ty të më mbrosh dhe të më ruash edhe gjatë ditës nga mëkatet dhe e keqja, në mënyrë që në të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet e mia, unë të të shërbej e të të kënaq Ty. Në duart e tua e dorëzoj trupin e shpirtin tim, dhe gjithçka që është e imja. Bëj që engjëjt e Tu të shenjtë, të kenë pushtet mbi mua dhe ata të ligjtë të mos kenë fuqi tek unë.

Amen.

(Kur të thuhet në klasë, përdorni shumësin: (ne), (neve), (tonat).)

MBRËMA

Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amen. Unë të falenderoj Ty, o At qiellor, përmes Jezu Krishtit, Birit Tënd të dashur, që më mbrojte aq hirshëm gjatë gjithë ditës. Të përgjërohem Ty të më falësh të gjitha mëkatet dhe gabimet që kam bërë, dhe me anë të mëshirës Tënde të madhe të më mbrosh nga të gjitha kurthet dhe rreziqet e natës. Në duart e Tua unë e dorëzoj trupin dhe shpirtin tim, e gjithçka timen. Bëj që engjëjt e Tu të shenjtë, të kenë pushtet mbi mua dhe ata të ligjtë të mos kenë fuqi tek në. Amen.

Falenderime dhe bekime në tryezë

MIRËNJOHJE PËRPARA NGRËNIES

Fëmijët dhe shërbëtorët duhet të shkojnë në tryezë të mbushur me mirënjohje, të bashkojnë duart dhe të thonë: Sytë e të gjithëve janë drejtuar te Ti, o Perëndi; dhe Ti u jep atyre për të ngrënë atëherë kur u nevojitet. Ti u hap dorën Tënde dhe kënaq dëshirën e çdo qënie të gjallë. Në emrin e Jezusit,

Amen.

*

O Zot Perëndi, o Ati ynë Qiellor, na beko neve dhe këto dhurata të Tuat të cilat i marrim prej mirësisë Tënde plot dashuri, përmes Jezu Krishtit Zotit tonë.

Amen.

*

Qofsh i pranishëm në tryezën tonë, Perëndi, Qofsh këtu dhe kudo i adhuruar; Beko këto mëshira dhe bëj që ne të festojmë me Ty në Parajsë. (Ose të mund të forcohemi që të të shërbejmë Ty.)

FALENDERIMI PAS NGRËNIES

Oh, falenderojeni Perëndinë, sepse Ai është i mirë; sepse mëshira e Tij vazhdon përjetë. Ai u jep ushqim të gjithë të gjallëve. Ai ua jep ushqimin e Tij edhe bishave edhe korbave që ulërijnë. Zoti kënaqet me ata që i frikësohen Atij dhe me ata që shpresojnë në mëshirën e Tij. Amen.

Lutje e Zotit dhe Bekimi

LUTJA E ZOTIT

Ati ynë që je në qiell.

U shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote.

U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona,

ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim,

por na çliro nga i ligu,

sepse jotja është mbretëria,

dhe fuqia dhe lavdia përjetë.

Amen

*

Ne të falenderojmë Ty, o Zot, Ati ynë qiellor, përmes Jezu Krishtit Zotit tonë, për të gjitha të mirat që na jep; Ti që jeton e mbretëron në jetë të jetëve. Amen.

BEKIMI

Zoti të të bekojë dhe të të ruajë; Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e Tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty! Zoti të kthejë fytyrën e Tij mbi ty dhe të të sjellë paqe! Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.

Amen.

Numrat 6, 24, 26 dhe 27.

Tabela e detyrave

Disa pasazhe të caktuara të Shkrimeve të Shenjta të përzgjedhura për njerëzit e të gjitha rangjeve dhe kushteve, detyrat përkatëse të të cilëve janë caktuar si më poshtë:

PËR PESHKOPËT, PASTORËT DHE PREDIKUESIT

Tregoni kujdes për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të të cilës Fryma e Shenjtë iu ka vënë juve kujdestarë që të kullotni Kishën e Perëndisë, të cilën Ai e ka fituar me gjakun e Tij. (Vep.Apost. 20:28)

Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje të vetme, të jetë i përmbajtur, i arsyeshëm, i matur, mikpritës, i zoti të mësojë të tjerët, të mos jepet pas verës, të mos jetë i dhunshëm, të mos jetë koprac, as grindavec, të mos lakmojë paranë, të jetë një njeri që qeveris mirë familjen e vet dhe i ka fëmijët të bindur e të sjellshëm, të mos jetë i porsakthyer në besim, që të mos i rritet mendja dhe të bjerë në gabimet e djallit, që të jetë besnik ndaj fjalës së dhënë siç i është mësuar, e që të jetë në gjendje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që e kundërshtojnë. (1Tim. 3:2,3,4,6; Tit.1:9)

ÇFARË U DETYROHEN DËGJUESIT PASTORËVE TË TYRE

Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre. (Heb.13:7)

Se dhe Zoti urdhëroi që ata të cilët shpallin ungjillin, nga ungjilli do të rrojnë. (1 Kor. 9:14)

Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij atë që e mëson. (Gal. 6:6)

Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë dhe me mësim. Sepse Shkrimi I Shenjtë thotë: “Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë” dhe “punëtori e ka hak mëditjen e tij”. (1 Tim. 5:17,18)

Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrojuni atyre, sepse ata rrinë zgjuar për shpirtërat tuaj, njësoj si ata që duan të japin llogari; sepse duan ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, pasi kjo nuk do t’u sillte dobi. (Heb. 13:17)

PËR GJYKATËSIT DHE QEVERINË CIVILE

Çdo njeri le t’u nënshtrohet pushteteve të sipërme, sepse nuk ka pushtet përveçse Perëndisë, dhe pushtetet që ekzistojnë janë caktuar nga Perëndia; sepse eprorët nuk ke pse t’i kesh frikë për veprat e mira, por për të këqijat; a do pra që të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën dhe do të kesh lavdërim nga ai; sepse eprori është shërbëtori i Perëndisë për ty, për mirë; por, po do të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; pasi ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen. (Rom. 13: 1,3,4)

PËR VARTËSIT

Jepini, pra, Çezarit atë që i përket Çezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë. (Mateu 22:21)

Çdo njeri le t’u nënshtrohet pushteteve të sipërme, sepse nuk ka pushtet përveçse Perëndisë, dhe pushtetet që ekzistojnë janë caktuar nga Perëndia. (Rom.13:1)

Nënshtrojuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit, qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. (1 Pjetri 2:13,14)

Bëj thirrje, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falenderime për të gjithë njerëzit; për mbretërit dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojnë një jetë të qetë dhe të paqtë me perëndishmëri dhe me nder. (1 Tim. 2:1,2)

Kujtohu çdoherë që t’u nënshtrohesh pushtetarëve dhe autoriteteve, të jesh i bindur dhe i gatshëm për çdo vepër të mirë. (Titit 3:1)

PËR BURRAT

Ju burra, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si enën më delikate dhe duke e nderuar atë, sepse ato janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen kështu lutjet tuaja. E mos u hidhëroni kurrë me to. (1 Pjet. 3:7; Kol.3:19)

PËR GRATË

Ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj porsi Zotit. (Ef. 5:22)

Ashtu si Sara që i bindej Abrahamit duke e quajtur Zot; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë. (1 Pjet.3:6)

PËR PRINDËRIT

Ju, prindër, mos i provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni me disiplinë dhe në këshillë të Zotit. (Efes. 6:4)

PËR FËMIJËT

Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. “Ndero babanë tënd dhe nënën tënde”, ky është urdhërimi im i parë me premtim “që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe”. (Efes. 6: 1-3)

PËR SHËRBËTORËT, MËDITËSIT DHE PUNËTORËT

JJu, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit, duke mos shërbyer për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, po si shërbëtorë të Krishtit, duke e bërë vullnetin e Perëndisë me zemër, duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit, duke ditur se gjithësecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin e Perëndisë. (Efes. 6:5-8)

PËR PUNËDHËNËSIT

Ju, zotërinj, bëni po kështu ndaj tyre, duke i lënë kërcënimet, duke ditur se i tyre dhe i juaji Zot është në Qiell dhe se tek Ai nuk ka asnjë anësi. (Efes. 6:9)

PËR TË RINJTË NË PËRGJITHËSI

Ju, të rinj, nënshtrojuni pleqve. Por nënshtrojuni edhe të gjithë njëri-tjetrit e vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët dhe u jep hir të përulurve. Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, në mënyrë që Ai t’iu lartësojë në kohën e duhur. (1 Pjet. 5:5,6)

PËR VEJUSHAT

Ajo që është me të vërtetë e ve dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën te Perëndia dhe qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë. Ndërsa ajo që jeton e shthurur, ndonëse rron, është e vdekur. (1 Tim. 5:5,6)

PËR TË GJITHË NJERËZIT

Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. E këtu përfshihen të gjitha urdhërimet. (Rom. 13:9)

Dhe bëj thirrje që të bëhen lutje për të gjithë njerëzit. (1 Tim. 2:1)