Kur Zoti është bariu im, çfarë mund të më mungojë?

Toni Heikkilä

5/1/20253 min lexim

Psalmi 23 është ndoshta pasazhi më i njohur në Bibël. Përdoret në çdo fazë të jetës, por veçanërisht i dashur është në kohë vështirësish. Në këtë psalm, është qengji ai që flet dhe tregon se si është bariu i tij.

Nëse nuk ke qenë ndonjëherë bari, mund të jetë e vështirë ta kuptosh si punë dhe se sa përgjegjësi serioze është. Megjithatë, Davidi e dinte mirë si ishte, sepse edhe vetë kishte qenë bari. Për shkak të cilësive të tij të mira, Perëndia e zgjodhi të ishte edhe bariu i popullit të Izraelit. Një bari tjetër me përgjegjësi të madhe ishte Moisiu. Që të dy dinin si të kujdeseshin për delet dhe e dinin sa e rëndësishme ishte tufa.

Në psalmin e njëzet e tretë, Davidi përshkruan se si Zoti është bariu i tij personal. Për të, Zoti është Bariu i mirë që e udhëheq në kullota me bar të njomë dhe në burimet e ujërave. Kushdo që ka qenë në Izrael e di sa pak gjelbërim ka atje. Në qytetin e Davidit, në Betlehem, terreni është malor dhe i thatë; atje bën nxehtë dhe ka më shumë ferra, sesa bar. Pak kilometra më tej është shkretëtira. Një pjesë e madhe e atij rajoni nuk ka fare bimësi, sepse shi bie vetëm disa ditë në vit.

Për shkak se nuk ka kullota natyrore dhe ka pak burime ujërash, shpesh delet janë në lëvizje. Për të gjetur kullotë ato duhen çuar andej-këtej, ose bariu duhet të ndërtojë një sistem ujitjeje që të krijojë kullotë diku pranë. Pra, e shohim se çdo gjë varet nga bariu.

Gjatë udhëtimit ka shumë rreziqe. Delet mund të rrëshqasin dhe të bien në shpatet e pjerrëta, pas shkëmbinjve mund të fshihen kafshë grabitqare dhe delet mund të ngecin në ferra. Bariu ynë i di të gjitha këto dhe prandaj është i pajisur me shkop dhe me kërrabë. Me kërrabën, Ai mund t’i largojë grabitqarët dhe me dorezën e saj të harkuar mund të ngrejë delet që janë rrëzuar. Shkopi është arma e bariut, që ai e përdor për të goditur ndonjë grabitqar që afrohet shumë. Këto na japin siguri. Fjala që përkthehet “më japin zemër” ka edhe kuptimin e mbrojtjes apo të sigurisë.

Prandaj mund të thuhet që motivi kryesor i këtij psalmi është kujdesi i Zotit. Çdo gjë në këtë psalm çon në përfundimin e tij, ku Bariu na mbulon me dhurata dhe na mbron nga armiqtë. Ashtu si Zoti e udhëhoqi Izraelin nga Egjipti, i ruajti nga armiqtë gjatë udhëtimit dhe u dha manna nga qielli dhe ujë nga shkëmbi, ashtu Ai dëshiron të na japë edhe ne sot çdo gjë që na nevojitet. Jezusi Vetë thotë që Ai është Bariu i Mirë që jep jetën e Vet për delet. Ai na njeh dhe ka ardhur të na shërbejë.

Nuk është për t’u habitur, atëherë, që Etërit e Kishës gjetën lidhje midis sakramenteve dhe këtij psalmi baritor. Augustini e pa përtëritjen shpirtërore të ujërave të burimit si pagëzimin, kurse Eusebi vuri në dukje se në Darkën e Zotit, Krishti vërtet shtron një tryezë për ne ku marrim dhuratat e Tij. Dhurata që na jep është trupi dhe gjaku i Tij, për faljen e mëkateve. Jezusi është Bariu i Mirë – Ai që jep jetën e Vet për delet (Gjoni 10:11).

Mendo sa e mrekullueshme është kjo! Perëndia e derdh hirin e Tij mbi delet e Tij. Në fund të Psalmit na thuhet që Perëndia shtron një tryezë për ne në prani të armiqve tanë. Në tokë, Ai përgatit Tryezën e Zotit për ne, në mes të një bote të ligë. Por, për më tepër, Jezusi ka përgatitur një tryezë për ne në qiell me gjërat më të mira. Dhe pak para se të vdiste në kryq dhe të shlyente gjithë mëkatet tona, Jezusi tha që po shkonte tek Ati për të na përgatitur një vend (Gjoni 14:2). Është i njëjti vend për të cilin dëgjojmë të flitet në fund të psalmit – vendi ku do të banojmë me Perëndinë në përjetësi.

A je edhe ti një nga delet e Jezusit?

Nga Toni Heikkilä. Toni Heikkilä është prift në Kishën Luterane të Shën Palit në Tiranë, Shqipëri.