Perëndia na takon përmes mjeteve të jashtme – Pjesa 1
Në këtë artikull pastori Lennart Ahlvik shkruan se si Perëndia na takon sot. Kjo ndodh përmes Fjalës së Perëndisë, Biblës dhe përmes sakramenteve. Pse mendojmë kështu? Lexoni këtu.
Si punon Perëndia me ne, qeniet njerëzore?
Denominacionet dhe kontekstet e ndryshëm të krishterë i përgjigjen kësaj pyetjeje të rëndësishme në mënyra të ndryshme. Disa thonë që Fryma i Shenjtë vepron drejtpërdrejt në zemrën e një personi. Disa herë duket sikur duan të thonë që nuk ka nevojë fare për mjete të jashtme, sikur gjithë krishtërimi të jetë një realitet i fshehur që ndodh drejtpërdrejt brenda njeriut. Lutja e personit atëherë, bëhet e vetmja mënyrë reale për t’u takuar me Perëndinë.
Në ditët e sotme, dëgjojmë gjithnjë e më shpesh që, megjithëse Fjala e Perëndisë dhe bashkësia me njerëzit janë patjetër të mira, ato nuk janë krejt të nevojshme. Lexova së fundmi në një revistë që një numër gjithnjë e më i madh njerëzish që i thonë vetes të krishterë besojnë se nuk kanë nevojë për kishën. Gjëja më e rëndësishme, thonë ata, është marrëdhënia e brendshme, autentike, me Jezusin. Besoj se kjo është një prirje krejt e natyrshme njerëzore: ne fokusohemi në veten tonë, në jetën tonë të brendshme, në atë që bëj dhe në mënyrën si e krijoj marrëdhënien me Jezusin në zemrën time. Prandaj, është e lehtë që ta mbajmë vështrimin pikërisht te këto gjëra. Por bindja jonë si të krishterë ungjillorë luteranë ndryshon rrënjësisht nga një pikëpamje e tillë. Ne besojmë se Perëndia punon me ne, qeniet njerëzore, nga jashtë, përmes mjeteve të jashtme. Si rrjedhojë, fokusi ynë duhet të jetë edhe në atë që bën Perëndia për ne, e jo vetëm në zemrat tona.
Ndërsa studiojmë Fjalën e Perëndisë, mund të shohim që Perëndia punon me ne njerëzit specifikisht përmes mjeteve të jashtme, në dukje të thjeshtë. Pas Ringjalljes së Tij, Krishti i dërgon apostujt të bëjnë dishepuj të Tij duke i pagëzuar ata dhe duke iu shpallur atyre Fjalën e TIj (Mat. 28:18–20). Te Romakëve 10:13–17, Pali shpjegon se predikimi i Fjalës së Perëndisë ndodh me me urdhrin dhe porosinë e Krishtit, që njerëzit të besojnë – në mënyrë që “kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (10:13). Një pasazh tjetër i qartë gjendet te Gjoni 20:21–23, ku Jezusi dërgon dishepujt për të falur mëkatet në emrin e Tij:
“Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë! Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.”
Nga këto dhe pasazhe të tjera biblike, kuptojmë se Perëndia punon me ne përmes mjeteve të jashtme. Në pasazhin e fundit më sipër, është veçanërisht e qartë se Fryma i Shenjtë vepron përmes faljes së mëkateve — përmes Ungjillit të dëgjueshëm. Sipas mësimit të Pjetrit dhe Palit (Veprat 2:38 dhe Titit 3:5), kuptojmë gjithashtu se pagëzimi është pjesë e punës së Frymës së Shenjtë. Në pjesën tjetër, do të shqyrtojmë se çfarë rrjedhoja ka kjo e vërtetë për kishën dhe për jetën e krishterë.
Ky artikull është shkruar nga pastori Lennart Ahlvik. Ai shërben si pastor ndihmës në Bashkësinë Luterane të Shën Jakobit në Pietarsaari, Finlandë. Artikulli është botuar më parë në suedisht në “Ungitro” dhe mund të gjendet në https://www.ungitro.fi/gud-moter-genom-yttre-medel-del-1/