Vetëm besimi – por besimi nuk është kurrë vetëm
Besimi pa vepra është i vdekur. Këtë shkruan Jakobi në një nga pasazhet më të diskutuar të Biblës. Gjatë Reformacionit, marrëdhënia midis besimit dhe veprave nxiti debate mjaft të nxehta. Çfarë vendi zënë veprat në jetën e një të krishteri? A janë ato të domosdoshme për shpëtim? Dhe si lidhen me njëri-tjetrin besimi dhe veprat e mira?
Në fushën e misionit, kam diskutuar shpesh çështjen e besimit dhe veprave me miq katolikë, ortodoksë dhe të reformuar. Ne shprehemi me fjalë shumë të ngjashme, e megjithatë nënkuptojmë gjëra krejt të ndryshme. Kjo vjen për shkak të të kuptuarit tonë të ndryshëm të mëkatit dhe hirit. Midis miqve të mi të reformuar, kam vënë re që ata theksojnë se si shenjtërimi tregon nëse jemi të krishterë të vërtetë. Ekumenistët qëllim-mirë mund të thonë se, në thelb, ne mësojmë të njëjtën gjë. Por, kur hapim Biblat dhe rrëfimet Luterane, dallimet bëhen të dukshme.
Pika e nisjes
Për të bërë të mundur që të flasim për besimin dhe veprat e mira, ne duhet të qartësojmë pikën e nisjes. Pas Rënies, njerëzimi nuk është thjesht i plagosur, por – siç thotë Pali te Romakëve 3 – i vdekur në mëkate dhe faje. Një i vdekur nuk mund të synojë të mirën, as të marrë iniciativë, të zgjedhë të besojë, apo të kontribuojë sadopak në shpëtimin e tij. Përpjekja për ta qetësuar Perëndinë me veprat tona të ligjit është e kotë. Siç shkruan Martin Luteri në Katekizmin e Vogël: “Unë besoj se nuk mundem me arsyen apo fuqinë time të besoj në Jezu Krishtin, Zotin tim, apo të vij tek Ai.”
Megjithatë Perëndia nuk deshi ta linte njerëzimin në gjendjen ku ishte. Prandaj Ai dërgoi Birin e Tij në vend të mëkatarëve. Përmes bindjes, vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Ai u bë mallkim në vendin tonë, mëkat në vend të mëkatarëve dhe mbarti ndëshkimin që do të na sillte paqe. Në Katekizmin e Vogël, në shpjegimin për Nenin e Dytë, Luteri thotë: “Ai më ka shpenguar, mua që isha një person i humbur dhe i dënuar, më bleu dhe më fitoi nga të gjithë mëkatet, nga vdekja dhe nga fuqia e djallit; jo me ar apo argjend, por me gjakun e Tij të shenjtë, të çmuar dhe me vuajtjen dhe vdekjen e Tij të pafajshme.” Shpëtimi është tërësisht vepër e Perëndisë. Është përfunduar dhe ne nuk mund t’i shtojmë asgjë – dhe nuk mund t’i heqim asgjë. Por si e marrim apo përvetësojmë atë?
Besimi që përvetëson
Pali thotë tek Efesianëve 2:8–9:
“Me anë të hirit jeni shpëtuar përmes besimit, dhe kjo nuk është diçka që e keni bërë ju; është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat, që askush të mos mburret.”
Disa herë njerëzit thonë se kanë “zgjedhur” të besojnë, apo e kanë “pranuar” Krishtin. Por Bibla i afrohet kësaj çështjeje nga ana e kundërt. Ne shpëtohemi me anë të hirit (latinisht: gratia). Shpëtimi është falas, që do të thotë se dikush tjetër ka paguar. Krishti e ka realizuar këtë me gjakun e Tij. Ne e përvetësojmë këtë dhuratë përmes besimit. Çfarë do të thotë kjo? Ne mund të mendojmë lehtësisht se besimi është ai që duhet të arrijmë. Por nuk është kështu. Luteri shkruan në shpjegimin e Nenit të Tretë: “Unë besoj se nuk mundem me arsyen apo fuqinë time të besoj në Jezu Krishtin, Zotin tim, ose të vij tek Ai; por Fryma i Shenjtë më ka thirrur me anë të Ungjillit, më ka ndriçuar me dhuntitë e Tij, më ka shenjtëruar dhe më ka mbajtur në besimin e vërtetë.”
Ne nuk zgjedhim të besojmë. Përkundrazi, është Perëndia Ai që na thërret në besim përmes Ungjillit. Kjo thirrje vjen te ne përmes Fjalës dhe Pagëzimit – dhe përmes besimtarëve të tjerë. Në Pagëzim ne ringjallemi me Krishtin (Kolosianëve 2:12) dhe bëhemi pjesëmarrës në vdekjen dhe ringjalljen e Tij (Romakëve 6). Përmes Fjalës dhe mjeteve të hirit ne ruhemi në besim.
Në lidhje me Perëndinë, besimi ynë është pasiv (vertikal). Ai është dora apo instrumenti që përvetëson Krishtin. Në të njëjtën kohë, besimi është aktiv (horizontal) ndaj të afërmit tonë. Aty Fryma i Shenjtë punon në dashuri dhe vepra të mira. Këto të dyja nuk duhet të ngatërrohen kurrë. Shpëtimin e nuk e përcakton forca e besimit të dikujt, por objekti i atij besimi.
Dhurata dhe objekti i besimit është Krishti. Përmes besimit ne jemi bashkuar me Të, dhe gjithçka që është e Tij bëhet jona. Ai na ka marrë mëkatet dhe na ka dhënë drejtësinë e Tij (Kolosianëve 2:14). Ne që dikur ishim të vdekur kemi marrë tani jetën e Tij. Në shëmbëlltyrën e hardhisë, Jezusi përshkruan se si jemi bashkuar me Të me një bashkim të gjallë. Jemi një degë në hardhinë që është Krishti. Jezusi thotë që nëse dikush qëndron në Të, ai do të prodhojë fryt. Por pa Atë, ne nuk mund të bëjmë asgjë.
Jemi thirrur në një besim që është aktiv në dashuri
Besimi aktiv nuk mund të ekzistojë pa besimin pasiv. Ata janë dy anë të të njëjtës medalje. Fryma i Shenjtë shkakton besim përmes mjeteve të hirit dhe e ushqen atë. Ashtu si dega ka nevojë për ushqim nga rrënja që të japë fryt, ashtu një i krishterë duhet të jetë në bashkësi të gjallë me Krishtin. Pali vazhdon tek Efesianëve 2:10:
"Sepse ne jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Perëndia i përgatiti qysh më parë, që ne të ecim në to".
Pasi ka treguar se shpëtimi është me anë të hirit, Pali tani tregon se si personi i rilindur është thirrur të bëjë vepra të mira (ose fjalë për fjalë, të ecë në to). Ne duhet t’i përdorim dhuntitë tona dhe ta përmbushim thirrjen që kemi në atë vend ku jemi vendosur. Përgjatë rrugës sonë Perëndia na përgatit mundësi për të bërë mirë. Të qenit në Krishtin na jep formë. Na jep gatishmëri për të shërbyer. Nëse nuk kemi gatishmëri për të bërë mirë, duhet të shqyrtojmë veten. Ndoshta nuk e kemi kuptuar çfarë ka bërë Krishti për ne?
Përgjatë gjithë Biblës ne nxitemi të bëjmë vepra të mira. Jezusi thotë se ne duhet ta duam Perëndinë dhe të afërmin. Ai na inkurajon më tej që ta ndriçojmë dritën që kemi. Edhe Pali nxit për zell në vepra të mira (Titit 2:14) dhe thekson se pa dashuri jemi asgjë (1 Korintasve 13). Ne jemi thirrur të jetojmë në mënyrë të denjë për Zotin dhe t’i pëlqejmë Atij duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë (Kolosianëve 1:10) dhe Pali thotë që ne jemi thirrur në një jetë shenjtërimi (1 Thesalonikasve 4:7). Thirrja jonë është ta përdorim besimin tonë për të mirën e të afërmit tonë jo nga detyrimi, por nga mirënjohja për atë që ka bërë Jezusi për ne.
Cilat vepra janë të mira? Kjo mund të keqkuptohet lehtë. Në librin me titull Të thirrur për të besuar, Profesor Steven P. Mueller tregon për një filantrope që dha shumë për bamirësi. Sipas kuptimit të botës, kjo ishte e mirë. Por jo domosdoshmërisht përpara Perëndisë. Pse? Sepse, sipas Biblës, veprat e mira janë ato që bëhen në besim (Romakëve 14:23), në përputhje me vullnetin e Perëndisë (Mateu 12:50), dhe veprat që burojnë nga dashuria për Perëndinë (Romakëve 13:10). Filantropja në fjalë nuk ishte besimtare, dhe ajo dhuroi që t’i mbahej mend emri. Mueller i krahason veprat me zerot: pa Krishtin shuma është prapë zero, sado zero të shtosh. Me Krishtin ka gjithmonë një njësh përpara dhe çdo zero merr vlerë. Megjithëse ky është ilustrim i thjeshtë, mund të na ndihmojë të kuptojmë.
A është i vdekur besimi im?
Jakobi thotë që besimi pa vepra është i vdekur, dhe si Jezusi, edhe Pali flasin për frytet e besimtarit. Nëse nuk shoh fryt në jetën time, a do të thotë kjo që nuk jam besimtar?
Të jetuarit në bashkësi me Krishtin i jep formë njeriut. Si Shkrimi, edhe përvoja na thonë që Krishti i shndërron njerëzit. Ata që jetojnë në Fjalën e Perëndisë dhe mbeten në mjetet e hirit do të shenjtërohen dhe do të marrin një vullnet të ri. Por shpesh ndodh që me kalimin e kohës njeriu e shikon mëkatin e vet më qartë. Adami i vjetër është gjithmonë i pranishëm. Ne jetojmë si të drejtë dhe mëkatarë në të njëjtën kohë.
Prandaj, le të mos dekurajohemi. Në lidhje me sigurinë e shpëtimit, ne duhet të dallojmë midis anës aktive dhe anës pasive të besimit. Ne kurrë nuk duhet të fillojmë të shohim veprat tona. Sado të jemi përpjekur, duhet ta pranojmë bashkë me shkruesen e himneve Lina Sandell se “Kam vënë re se këtu në tokë mëkati është i përzier me gjithçka, duke i dhënë çdo gjëje që është e bukur një pamje të huaj.” Siguria e shpëtimit nuk gjendet as në frytet, as në ndjenjat dhe as në përshtypjen tonë për fortësinë e besimit që kemi. Prandaj le t’i mbajmë sytë jo në frytet, por në rrënjën. Siguria jonë qëndron në veprën e Krishtit. Në Pagëzim ajo bëhet e jona. Dhe në Fjalën dhe në Darkën e Zotit ajo na shpërndahet të diel për të diel. Le të mbahemi fort në Krishtin – autorin dhe përsosësin e besimit. Vepra e Tij mjafton. Në Të edhe ti mund të sjellësh shumë fryt, edhe nëse e majta jote nuk e di çfarë bën e djathta.
Nga Toni Heikkilä
Pastor i Kishës Luterane të Shën Palit në Tiranë, Shqipëri.
Botuar më parë në “Pyhäkon Lamppu” 3/2025 dhe mund të gjendet online në https://www.lhpk.fi/wp-content/uploads/2025/06/PL_3_2025.pdf
